Site icon Telegrafi

Hapen qendrat e votimit, izraelitët votojnë për herë të katërt në dy vjet

Vendvotimet në të gjithë Izraelin u hapën në orën 07:00, sipas kohës sonë lokale, ku izraelitët pritet të votojnë në zgjedhjet parlamentare për herë të katërt në më pak se dy vjet.

Sipas sondazheve të opinionit, partia konservatore Likud e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, është më e forta, por kjo nuk do të thotë se ai së bashku me aleatët do të ketë shumicën në parlament, Knesset me 120 vende.

Blloku anti-Netanyahu, i cili përbëhet nga parti të krahut të majtë, të djathtë dhe të qendrës, duket edhe më pak të ngjarë të formojë një koalicion qeverisës, raporton aljazeera.

6,578,084 izraelitë kanë të drejtë të votojnë gjersa janë hapur 13,685 qendra votimi dhe 103 të tjera në misionet diplomatike izraelite jashtë vendit. Pritet që 60 deri në 70 për qind të votave të numërohen deri nesër në mëngjes, transmeton Telegrafi.

Parlamenti u shpërnda në dhjetor të vitit 2020, e cila gjë i hapi rrugë zgjedhjeve të reja në një përpjekje për të kapërcyer bllokimin politik.

Sipas sondazheve të opinionit, partia e qendrës Yesh atid (Ekziston një e ardhme) e Jair Lapid do të jetë e dyta në Knesset pas Likudit, por është e paqartë nëse mund të formojë një koalicion me aleatët e saj.

Kundërshtari tjetër i Netanyahut është Gideon Sar me partinë “Shpresa e Re”, e cila përbëhet nga ish-politikanë të Likud dhe e paraqet veten si një alternativë për të qeverisur vendin, megjithëse popullariteti i ka rënë pas suksesit fillestar.

Një tjetër ish-aleat i Netanyahut dhe tani rival i ashpër dhe nacionalist Naftali Bennett, mund të jetë thelbësor për formimin e një koalicioni. /Telegrafi/

Exit mobile version