Në Tiranë hapi sot për herë të parë dyert Kolegji i Evropës, me 24 nëpunësit civilë nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të jenë pjesë e trajnimit: “Çështjet Evropiane dhe Bashkëpunimi Rajonal”.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes së Kolegjit deklaroi hapa të tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme.
E pranishme, ishte dhe Frederica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës.
“Mirëpresim trajnimin e Kolegjit të Evropës për nëpunësit e rinj civilë nga Shqipëria dhe rajoni. Hapa të tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme. Iniciativa e Kolegjit është një hap gjigant për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor”, tha ministri.
Ai theksoi se Kampusi i Tiranës do të vendosë rajonin tonë në hartën e profesionistëve të BE-së.
“Disa do të argumentonin se ne kemi një rajon të trazuar, me hije të gjata nga e kaluara. Nuk e ndryshojmë dot të kaluarën, por mund të bëjmë më shumë për të ardhmen. Besoj se për të gjithë ju që vini nga rajoni, do të ndjeni frymën e Evropës këtu. Shfrytëzojeni atë ndjenjë dhe ndërtoni ura bashkëpunimi që do ta forcojnë rajonin tone”, u shpreh ministri Hasani.
Sipas tij, vetëm kështu do mund të finalizojmë qëllimin tonë, integrimin e plotë në BE
Ai përcolli edhe një mesazh inkurajimi për studentët e parë.
“Mirë se vini në Kolegjin e Evropës, jini të guximshëm, jini evropianë”, iu drejtua Hasani studentëve. /Telegrafi/