Telegrafi

Handanovic planifikon të luajë me gisht të thyer ndaj Milanit

Samir Handanovic (Foto: Chris Ricco/Getty Images/Guliver)

Samir Handanovic nuk i ka humbur shpresat për të luajtur në derbin e Milanos të dielën, pasi që portieri i Interi do të përpiqet të bëjë stërvitje me një dorezë mbrojtëse.

Nerazzurrët njoftuan të hënën se slloveni e ka thyer gishtin e vogël të dorës së majtë, ashtu që pritet të mungojë në disa ndeshje.

Media të ndryshme kanë raportuar se ai mund të mungojë tri deri në katër javë, mirëpo 35-vjeçari do të përpiqet të bëjë gjithçka që është e mundur që të jetë në Derby della Madonnina.

Samir Handanovich (Foto: Gabriele Maltinti/Getty Images/Guliver)

Sipas La Gazzetta dello Sport, Handanovic do të stërvitet me një dorezë mbrojtëse në ditët në vijim për të provuar se mund te jetë në gjendje të mbrojë.

Pos derbit ndaj Milanit, portieri i zikaltërve rrezikon të mungojë edhe në ndeshjen tjetër të rëndësishme, atë ndaj Lazios, pastaj ne takimet e Ligës së Evropës kundër Ludogorets, si edhe në derbin e Italisë ndaj Juventusit që zhvillohet më 1 mars. /Telegrafi/