Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark është duke qëndruar në një vizitë në Kosovë.
Clark ka takuar edhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, transmeton Telegrafi.
Hamza përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se mirënjohja për gjeneralin Clark do të jetë e përjetshme.
“Në mëngjesin e kësaj të diele e prita heroin e madh amerikan të Kosovës, gjeneralin Wesley Clark. Duke e ndier thellësisht dhimbjen tonë, duke e parë sakrificën popullore për liri, gjenerali Clark në vitin 1999 ishte shpresë e besim për ne se liria e paqja po vinin. Në qershorin e vitit 1999, bashkë e fituam lirinë. Në këtë qershor, 25 vjet pas, jemi bashkë e do të jemi gjithmonë, sepse e përjetshme është mirënjohja për gjeneralin, për ushtarët dhe gjithë popullin amerikan”, thotë ai.
Tutje, ai ka shkruar se Kosova është shtëpi e çdo amerikani.
“Ne, duke e nderuar të kaluarën e kemi ndërtuar të tashmen dhe po e krijojmë një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët tanë, pa dallime, gjithandej Kosovës. SHBA-ja dhe miqtë ndërkombëtarë, ata që nuk na braktisën kurrë, janë hisedarët kryesorë të sukseseve në 25 vjet liri dhe 16 vjet pavarësi”, thekson tutje ai./Telegrafi/