Kryetari i Mitrovicës së Jugut njëherësh edhe kandidat i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ka bërë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të New York-ut.
Hamza, përmes një postimi në Facebook, tha se tre vëllezërit Bytyqi janë rrëfim i sakrificës së madhe që do të mbetet përjetësisht në memorien kolektive të kombit shqiptar.
“‘Mbahu, nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë’, këto vargje të Nolit kanë kumbuar në zemrat tona që një shekull. Ato ishin thirrje e zëshme edhe gjatë luftës në Kosovë kur Ylli, Mehmeti, Agroni dhe djemtë e vajzat e batalionit “Atlantiku” braktisën jetën e mirë në Amerikë për të luftuar për atdheun e tyre. Me bashkëluftëtarin e tyre, Uk Lushin, sot bëmë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të Nju Jorkut”, ka shkruar Hamza, transmeton Telegrafi.
Hamza tutje ka shkruar se “tre vëllezërit Bytyqi janë rrëfim i sakrificës së madhe që do të mbetet përjetësisht në memorien kolektive të kombit shqiptar. Ata janë urë e përhershme e lidhjes ndërmjet shqiptarëve dhe Amerikës, të cilën ne e kemi obligim ta ruajmë”.
“Si kryeministër do ta kërkojë pareshtur drejtësinë e munguar për vëllezërit Bytyqi dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë!”, ka shkruar Hamza. /Telegrafi/