Telegrafi

Hamza: Rritja ekonomike 4%

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Bedri Hamza, ka deklaruar se, pavarësisht zhvillimeve negative, në shumë vende të Evropës dhe më gjerë Kosova e ka ruajtur stabilitetin financiar dhe bankar në vend. Hamza në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se që nga paslufta Kosova ka pasur rritje ekonomike dhe kjo ka bërë që edhe sistemi bankar në vend të zhvillohet. Sipas tij, investimet, qoftë publike apo edhe private, kanë ndikuar të rritet edhe numri i bankave në Kosovë. Sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2015, guvernatori Hamza ka bërë me dije se, sipas parametrave që i ka BQK-ja, Kosova do të ketë rritje ekonomike rreth katër për qind, e që është rritja më e madhe ekonomike në vendet e rajonit.

“Epoka e re”: Z. Hamza, si është gjendja financiare në vend?
Hamza: Kosova ka vazhduar të ketë rritje ekonomike edhe në vitin 2014. Ka pasur edhe rritje të depozitave rreth 3.9 për qind. Të gjitha bankat në Kosovë janë mirë të kapitalizuara dhe kanë pasur likuiditet të mjaftueshëm. Edhe në vitin 2014 ka pasur rritje të sektorit bankar rreth 4.3 për qind. Me të gjithë këta indikatorë, edhe kreditë joperformuese (kreditë e këqija) nuk kanë qenë të larta, madje ka pasur zvogëlim të tyre. Është një vlerësim i përgjithshëm jo vetëm i Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe i aktorëve të tjerë, se Kosova në vitin 2014 ka pasur ngritje dhe zhvillim në sistemin bankar. Ky zhvillim do t’i shërbejë Kosovës që edhe në vitin 2015 të ketë zhvillim ekonomik dhe rritje ekonomike.

“Epoka e re”: Me gjithë profitet që i kanë pasur bankat në Kosovë, ato po vazhdojnë të japin kredi me norma të larta.
Hamza: Është inkurajues fakti që bankat që veprojnë në Kosovë kanë pasur zhvillim pozitiv. Po ashtu, është inkurajues fakti se bankat në Kosovë në vitin e fundit kanë dhënë kredi njëshifrore. Mesatarja e normave të interesit të kredive nga bankat e Kosovës ka qenë 9.3 për qind. Të gjitha ato banka, ato institucione mikrofinanciare, që kanë pasur një disiplinë të mirëfilltë dhe kanë pasur të ardhura, kanë dhënë kredi me norma të favorshme. Pra, me të gjithë këta tregues, bankat në Kosovë kanë dhënë kredi në nivel të vendeve të rajonit e që nuk ka shumë dallime në normat e interesit. Trendi i rënies së normave të interesit do të vazhdojë. Kjo vjen edhe për shkak se bankat kanë likuiditet, por edhe si rezultat i konkurrencës së bankave. Ulja do të ketë efekt pozitiv te kredimarrësit, qoftë të bizneseve apo edhe tek ekonomitë familjare. Pra, norma e interesit, në fund të dhjetorit, ka qenë 9.3 për qind, kurse gjatë vitit 2015 presim të kemi norma edhe më të ulëta të interesit.

“Epoka e re”: Kosova në vitet e fundit ka pasur më shumë banka të reja, të cilat kanë ardhur nga Turqia. Si e vlerësoni këtë? 

Hamza: Në Kosovë veprojnë disa banka. Kemi banka nga vendet perëndimore, nga Austria e kemi “Raiffeisen Bank”-ën, “ProCredit”-in nga Gjermania, “NLB”-në nga Sllovenia, “TEB”-i është pjesë e “BNP Paribas”. Kemi banka edhe nga vendet e regjionit, siç është “BKT”-ja, e cila selinë e ka në Tiranë dhe është e licencuar si degë e Tiranës në Kosovë. Pra, kemi edhe banka nga Turqia, që selitë e tyre i kanë në disa vende të Evropës dhe Amerikës. Ia kemi dhënë një leje një banke që do ta hulumtojë tregun. Është fjala për “Atlas Bankë”, por edhe për një bankë tjetër turke, “Ziraat Bank”. Kjo është banka e dytë për nga fuqia në Turqi dhe ka degë në 16 vende të botës, përfshirë edhe Amerikën dhe shtetet e Evropës. Kjo bankë ka në fokus agrobiznesin, e cila për Kosovën është shumë me rëndësi. Sa iu përket bankave që operojnë në Kosovë, situata në Kosovë dallon nga shumë vende të tjera, të cilat vitet e shkuara kanë qenë të detyruara të merren me kapitalizimin e bankave. Ndërsa bankat në Kosovë të gjitha janë mirë të kapitalizuara dhe janë likuide.

“Epoka e re”: Sa prisni të ketë rritje ekonomike gjatë vitit 2015?
Hamza: Kemi dalë edhe më herët me vlerësimet për vitin 2014. Kemi paraparë që rritja ekonomike të jetë tre për qind, ndërsa sa i përket rritjes ekomomike për vitin 2015, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka paraparë që rritja ekonomike e Kosovës të jetë rreth katër për qind. Rritja ekonomike varet edhe prej aktorëve të tjerë. Pra, sektori privat do të jetë ai që do ta sjellë rritjen ekonomike. Pra, bankat presin t’i shpërndajnë mjetet e tyre, të cilat do të jenë në shërbim të zhvillimit. Bankat në Kosovë kanë likuiditet dhe kanë nevojë që këto mjete t’i plasojmë. Për ta arritur këtë duhet ta rrisim gamën e produkteve të tyre dhe t’i përmirësojmë më tutje kushtet e kreditimit, duke reflektuar që trendi i normave të interesit të jetë vazhdimësi në zvogëlim.

“Epoka e re”: Sa kanë qenë remitencat?
Hamza: Trendi i remitencave në Kosovë ka vazhduar të jetë pozitiv. Kemi pasur ngitje deri në 11.2 për qind për 9-mujorin e vitit të kaluar. Është inkurajues që njerëzit e diasporës po vazhdojnë të dërgojnë mjete te familjet e tyre. Kjo do të shërbejë edhe në mirëqenie, por në mbushjen e buxhetit të Kosovës. Në Kosovë shumica e remitencave shfrytëzohen për konsum. Presim që këto remitenca të shfrytëzohen edhe në investime. Diaspora e Kosovës duhet të investojë në Kosovë. Presim që Kosova të zhvillohet dhe këto remitenca të jenë jo vetëm për konsum, por të investohen në projekte të tjera që do të jenë në zhvillim të Kosovës dhe hapjen e mundësive të reja.

“Epoka e re”: Disa banka në Kosovë kohët e fundit kanë rritur çmimet për pagesa?
Hamza: Kemi dy zhvillime në këtë drejtim. Bankat që veprojnë në Kosovë i kanë ulur çmimet për pagesa elektronike. Qëllimi i bankave në Kosovë, që të kenë kosto më të ulët, të mos krijohen radhë dhe pritje në bankat dhe sportele dhe klientët ta shfrytëzojnë mënyrën elektronike. Kemi dhënë licenca edhe për institucione të tjera që të bëjnë pagesa. Kemi dhënë licencë edhe për Postën e Kosovës që të kryejë pagesa dhe qytetarëve u mbetet të zgjedhin ku të paguajnë. Ne i inkurajojmë qytetarët t’i zgjedhin institucionet të cilat kryejnë shërbime më të lira.

“Epoka e re”: Cilat janë planet e BQK-së për vitin 2015?
Hamza: Presim të miratohen ligjet, si ai për institucionet mikrofianciare dhe ligji i përgjithshëm për sigurime. Do të vazhdojmë të investojmë edhe në staf, që të kemi më shumë dinamizim të proceseve dhe zbatim të planeve të parapara. Kemi synim që sa më parë Kosova të anëtarësohet në Bankën Qendrore Evropiane. Presim të kemi edhe banka të reja, mbi të gjitha ta ruajmë stabilitetin financiar në Kosovë.