Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka përsëritur edhe një herë se partia e tij nuk do të bashkëqeverisë me partinë në pushtet.
Ai thekson se është më e mundshme që një qeveri të formohet nga opozita sesa nga Lëvizja Vetëvendosje, duke përmendur dallimet e mëdha konceptuale, politike dhe programore mes tyre.
“Ne kemi bërë të qartë që nuk mund të qeverisim bashkë me Vetëvendosjen për shkak të dallimeve të mëdha, si në rritjen e pagave, pensioneve dhe çështjen e energjisë,” tha Hamza.
Sipas tij, një bashkim i opozitës do të mund të siguronte 52 vota, ndërsa 10 të tjera do të vinin nga minoritetet joserbe, duke krijuar kështu një shumicë të mundshme për formimin e qeverisë, pa përfshirjen e Vetëvendosjes.
Hamza është shprehur i gatshëm për t’u takuar me partitë opozitare.
Në “Rubikon me Adriatik Klemendin”, ai tha se ka hapësirë për t’u ulur në tavolinë për të biseduar, duke i bërë ftesë që sonte partive opozitare për takim.
“Ftesën që sonte jam i gatshëm me u ulë me partitë që kemi qenë në Opozitë që të bisedojmë për marrëveshje politike jo për procedura ligjore e kushtetuese se janë të qartë me përjashtim të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sigurisht në kanal zyrtare do t’iu bëj ftesë me u ul dhe me bisedu që vendin me i dhënë institucione”, tha Hamza.
Tutje, Hamza shtoi se “Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë kushdo që do ta krijojë qeverinë”.