Site icon Telegrafi

Hamza flet për rolin e PDK-së në opozitë: Do të jemi kritikues por jo pa argumente e alternativë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK do të jetë origjinale gjatë legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, ku do të jetë në opozitë.

Hamza në një intervistë për “Përballje ditore”, në  Telegrafi.com ka thënë se PDK do të jetë opozitë e Qeverisë, dhe asnjëherë opozitë e vendit.

“PDK do të jetë origjinal i vetëvetës dhe veprimet tona do t’i bëjmë në përputhje me diskutimet dhe debatet tona të brendshme, ne nuk jemi opozitë e vendit dhe nuk do ta luajmë rolin e opozitës së vendit por do të jemi opozitë e qeverisë, normalisht roli është kritikues por jo vetëm me kritiku pa alternativa. Ne kemi dëshmuar të kundërtën çfarë kanë bërë opozita e kaluar, ne e kemi votuar pa asnjë hezitim vendimin për vazhdimin e shfrytëzimit të ndarjes buxhetore, që nuk ka ndodhur në qeverinë e kaluar”, ka pohuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se kjo parti ka përkrahur edhe vendimin për zvogëlimin e numrit të komisioneve parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza gjatë intervistës për “Përballje ditore” në Telegrafi.com

Kurse sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Hamza ka thënë se është e rëndësishme të ketë relacione të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Për PDK-në interesi i vendit është prioritet i parë, dhe është interes jetik për Kosovën që me pas relacione të mira dhe me qenë në një linje me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Ruajtja, kultivimi dhe ecja drejt progresit me mbështetjen e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropianit. Ne duhet t’i peshojmë vendimet tona, dhe te fitojmë atë që është me e vlefshme”, pohoi ai.

Lexo po ashtu Hamza për shkarkimet e fundit: Qeveria Kurti të mos merr vendime populliste, kjo mund të dëmtojë buxhetin e shtetit

Në fund Hamza tha se PDK është interesuar që vendi të ketë suksese, por në raporte opozitare do të jenë  kritikues por jo pa argumente, pa fakte dhe jo pa alternativë./Telegrafi/

Exit mobile version