Site icon Telegrafi

Hamza flet për opsionet e mundshme për koalicionin qeverisës në Mitrovicë

Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Bedri Hamza ka folur në lidhje me koalicionet e mundshme në komunën të cilën ai do të udhëheqë.

Hamza në ATV ka thënë se është për një qeverisje stabile duke shtuar se ka pasur disa marrëveshje para zgjedhjeve me parti, të cilat tashmë kanë nga një asamblistë në Kuvendin Komunal.

“Unë jam i interesuar për qeverisje stabile dhe në këtë drejtim kam pasur marrëveshje parazgjedhore me disa subjekte politike, e që tri nga to kanë nga një asamblist në Asamblenë Komunale e që janë AKR, AAK dhe Partia e Drejtësisë, është edhe një asamblist nga Forca e Diasporës”, tha Hamza.

Derisa ka shtuar se nuk përjashton mundësinë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Mirëpo përtej kësaj unë jam i gatshëm me u ul dhe me bisedu edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilët i kanë gjashtë asamblistë dhe me pa mundësinë e bashkëqeverisjes pavarësisht që unë si kandidat nuk kam pasur marrëveshje parazgjedhore, por megjithatë jam i gatshëm që me qeverisë me një koalicion më të gjerë, të kemi stabilitet por edhe të merret përgjegjësi nga të gjithë”, ka shtuar ai.

Hamza ka treguar po ashtu se cilët persona nuk mund të jenë pjesë e qeverisjes së tij, duke përfshirë personat që kanë probleme me ligjin, por edhe personat të cilët kanë qenë pjesë e qeverisjeve të kaluara.

“Çka unë kam deklaruar dhe qëndroj prapa është që njerëzit që në çfarë do faze të jetës së tyre kanë pasur probleme me ligjin nuk mund të jenë drejtor të ndonjë Drejtorie dhe njerëzit të cilët kanë qenë pjesë e qeverisjeve të kaluara mendoj se është koha të hapet perspektiva dhe të provohen njerëz që e kanë kriterin profesional, e kanë pastërtinë ligjore dhe kanë vizion të qartë dhe e pranojnë këtë program, si dhe pranojnë që vlerësimi i performancës do të ndodhë”, ka thënë ai.

Exit mobile version