Hamasi ka njoftuar zyrtarisht se Jahya Sinwar do të jetë kreu i ri politik i këtij grupi ushtarak nga Gaza, pas vrasjes së Ismail Haniyeh në Teheran.
Sinwar, i cili është udhëheqësi i Hamasit në Gaza, konsiderohet gjerësisht si arkitekti i sulmit të 7 tetorit që shkaktoi luftën e Izraelit në Gaza.
Ai në muajin shkurt të vitit 2017 u zgjodh udhëheqës i Hamasit në Rripin e Gazës dhe konsiderohet si radikal, raporton timesofisrael.
Palestinezi 61-vjeçar kaloi 23 vjet në burgjet izraelite përpara se të lirohej në vitin 2011 si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.
I lindur në Khan Yunis në Rripin e Gazës, ai iu bashkua Hamasit kur u themelua në vitin 1987, viti i intifadës ose kryengritjes së parë palestineze, shkruan reuters.
Sinwar, i cili lëviz fshehtazi nëpër tunelet e Gazës, nuk është shfaqur në publik që nga 7 tetori dhe është në listën e terroristëve të rrezikshëm të SHBA-së.
Al Arabiya raportoi se Muhamed Ismail Darwish u zgjodh si kreu i përkohshëm i zyrës politike të Hamasit, duke pasuar Haniyeh, në pritje të zgjedhjeve brenda Hamasit. Megjithatë, duket se këto zgjedhje janë përshpejtuar. /Telegrafi/