Telegrafi

Hamasi thotë se propozimi i ri është shumë i afërt me kërkesat e Izraelit

Grupi palestinez Hamas tha të dielën se një propozim i ri që synon të kapërcejë boshllëqet midis Izraelit dhe grupit të armatosur islamik mbi një armëpushim në Gaza ishte shumë afër pozicioneve të fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Deklarata e Hamasit erdhi vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken mbërriti në Izrael në një përpjekje për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve, duke zbehur shpresat për një përparim të afërt në negociata, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Hamasi mori propozimin e ri nga ndërmjetësit, Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, pas një raundi dy-ditor bisedimesh në Doha.

Ai tha se propozimi i ri ishte “në përputhje” me Netanyahun, i cili refuzon t’i japë fund luftës dhe të tërheqë forcat izraelite nga Gaza, duke përfshirë nga kufiri me Egjiptin, dy kushte që grupi i sheh si bazë për çdo marrëveshje.

“Ne e mbajmë Netanyahun plotësisht përgjegjës për pengimin e përpjekjeve të ndërmjetësve, për vonimin e marrëveshjes dhe për jetët e të burgosurve të tij që janë të ekspozuar ndaj të njëjtit rrezik si populli ynë për shkak të agresionit të tij të vazhdueshëm dhe shënjestrimin sistematik të të gjitha aspekteve të jetës në Gaza”, tha Hamasi. /Telegrafi/