Site icon Telegrafi

Hamasi thotë se nuk do t’i lirojë pengjet pa armëpushim

Hamasi është zotuar se nuk do të futet në negociata për shkëmbimin e mëtutjeshëm të burgosurve pa armëpushimin e ushtrisë izraelite në Gazë, ka bërë sot të ditur ky grup militant palestinez.

“Hamasi rithekson qëndrimin se nuk do të futet në negociata për shkëmbimin e të burgosur përveç nëse agresioni kundër popullit tonë ndalet njëherë e përgjithmonë”, kanë thënë nga Hamasi, transmeton Telegrafi.

Mesazhi vjen ndërsa Katari përpiqet të ndërmjetësojë mes Izraelit dhe Hamasit për të vendosur një pauzë të re humanitare në Rripin e Gazës.

Zyrtarë të lartë izraelitë dhe të Katarit thuhet se janë takuar në Norvegji ditët e fundit, për të diskutuar shkëmbimin e pengjeve të mbetura të rrëmbyer nga Hamasi me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite. Asnjëra palë nuk i ka konfirmuar këto pretendime.

Lexo po ashtu Netanyahu i drejtohet izraelitëve: Nuk do të lejojmë që Hamastani të shndërrohet në Fatahstan

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të shtunën mbrëma se presioni ushtarak ndaj Hamasit duhet të vazhdojë për të siguruar fitoren dhe kthimin e të gjithë të rrëmbyerve.

Muajin e kaluar, Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari.

Armëpushimi zgjati një javë dhe lejoi lirimin e 105 pengjeve. Në këmbim, Izraeli liroi 240 të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite. Sipas vlerësimeve izraelite, në Gaza ka ende 112 pengje. /Telegrafi/

 

Exit mobile version