Hamasi ka publikuar mbrëmë një video ku shihen militantët e këtij grupi radikal duke u stërvitur në shkatërrimin e barrierës në kufirin Izrael-Gazë, që u mundësoi të fillojnë sulmin masiv dhe vrasjen e civilëve.
Në video shihen anëtarët e korpusit inxhinierik Kasami duke vendosur eksploziv në rrethojën me tela dhe barrierë, dhe më pas strehohen në një vend më të sigurt për ta hedhur në erë, transmeton Telegrafi.
Rrethoja që ndanë Rripin e Gazës nga Izraeli u shkatërrua në disa vende në orët e para të së shtunës, që u mundësoi militantëve të Hamasit të futen dhe të fillojnë sulmin.
Në video gjithashtu shihen militantët e Hamasit të veshur ne rroba ushtarake, në shpinë bartnin struktura të vogla të metalta që paloseshin në mënyrë që nëpër to të mund të kalonin motoçikletat përmes gardhit të shkatërruar, shkruan Sky News.
Shumë prej militantëve të Hamasit kanë përdorur motoçikleta gjatë sulmit, në një video që është shpërndarë në masë të madhe, shihet një izraelite e cila detyrohet të ulet në motoqikletë dhe më pas rrëmbehet.
Hamasi gjithashtu ka simuluar sesi kinse po e sulmojnë një vendbanim me izraelitë në Gazë, duke u stërvitur deri në detajet më të vogla, ka bërë të ditur një burim i afërt me agjencinë Reuters.
Gjykuar nga videoja, shihet sesa shumë kanë investuar në planifikimin e sulmit, ku si pasojë humbën jetën 1.300.
Sipas një militanti të Hamasit, pas thyerjes së gardhit, qëllimi ishte të futen buldozerët për të rritur vrimat, me qëllim që të mund të kalojnë edhe mjete më të mëdha motorike.
Gjithashtu thuhet se ata që morën pjesë në këtë stërvitje nuk e dinin se për çfarë operacioni po trajnohen, pasi ishin të vendosur ta mbajnë të fshehtë me qëllim që mos ta kuptojnë izraelitët për sulmin. /Telegrafi/