Site icon Telegrafi

Hamasi me propozim për t’i dhënë fund luftës, parashikohet të realizohet në tre faza

Hamasi ka paraqitur ofertën e tij për një armëpushim katërmujor e gjysmë në Gaza që do t’i jepte fund luftës, në përgjigje të një propozimi të bërë javën e kaluar nga ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

Sipas një draft dokumenti të parë nga Reuters, kundëroferta e Hamasit parashikon tre faza, secila prej të cilave do të zgjasë 45 ditë, transmeton Telegrafi.

Propozimi i grupi militant përfshin edhe shkëmbimin e pengjeve izraelite të rrëmbyer më 7 tetor për palestinezët në burgjet izraelite.

Përmendet edhe rindërtimi i Gazës, i cili duhet të fillojë menjëherë, tërheqja e plotë e forcave izraelite dhe shkëmbimi i trupave dhe eshtrave.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, mbërriti në Izrael mbrëmë pas një takimi me ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit, në negociatat midis Izraelit dhe Hamasit në përpjekjen më serioze diplomatike për të vendosur një armëpushim të zgjatur. Detajet e kundërofertës së Hamasit nuk janë bërë të ditura më parë.

Sipas kundërpropozimit të Hamasit, të gjithë pengjet izraelitë, të rinjtë nën 19 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët do të shkëmbeheshin brenda 45 ditëve të para, për gratë dhe të miturit palestinezë në burgjet izraelite.

Lexo po ashtu Blinken informohet me vendimin që ka marrë Hamasi për armëpushimin në Gaza

Pengjet e mbetur meshkuj do të liroheshin në fazën e dytë dhe eshtrat e pengjeve të vrarë do të shkëmbeheshin në fazën e tretë.

Deri në fund të fazës së tretë, Hamasi pret që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Grupi militant që sundon Gazën deklaron në një shtojcë të propozimit se kërkon lirimin e 1500 të burgosurve, një e treta e të cilëve do të zgjidheshin nga një listë e palestinezëve të dënuar me burgim të përjetshëm.

Armëpushimi duhet të lejojë gjithashtu një rritje në dërgimin e ushqimeve dhe ndihmave të tjera në Gaza.

Izraeli filloi një ofensivë ushtarake në Gaza pasi Hamasi masakroi civilët izraelitë më 7 tetor, rreth 1200 prej tyre, dhe rrëmbeu 253 njerëz, gra, fëmijë, foshnja, burra dhe të moshuar.

Sipas Hamasit, 27,585 njerëz vdiqën në ofensivën izraelite. Hamasi nuk specifikon se cili numër i referohet luftëtarëve të tij dhe anëtarëve të fraksioneve të tjera islamike dhe cili civilëve. /Telegrafi/

 

Exit mobile version