Në një komunikatë që e lëshoi Hamasi, thuhet se grupi ka pranuar armëpushimin me Izraelin.
“Delegacioni ynë, i udhëhequr nga Khalil Al-Hayya, ka miratuar një armëpushim dhe shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin”, thuhet në komunikatën e Hamasit.
Kjo informacion vjen pasi negociatat disa javëshe në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-ve, arritën të afronin pozitat dhe të ushtronin presion për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza.
Më herët, grupi Xhihadi Islamik kishte konfirmuar se pozitat e tij për armëpushimin dhe negociatat janë të njëjta me ato të Hamasit.
Për të finalizuar marrëveshjen, tani duhet të miratohet edhe nga kabineti izraelit i sigurisë, ndërkohë që mediat izraelite njoftojnë se do të ketë një afat dy-ditor për dorëzimin e ankesave në Gjykatën e Lartë të Izraelit.
Siç është njoftuar më herët, armëpushimi do të realizohet në tri faza, dhe faza e parë përfshin lirimin e një pjese të të burgosurve izraelitë në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, tha se në fazën e parë të marrëveshjes do të lirohen 33 të burgosur izraelitë, ndërsa dy burime palestineze pranë Hamasit thanë për AFP se Izraeli do të lirojë rreth 1000 të burgosur palestinezë në këmbim.
Një burim pranë Hamasit tha se lirimi i parë i pengjeve do të bëhet “në seri, duke filluar nga fëmijët dhe gratë.”
Edhe nëse palët pajtohen me marrëveshjen që është në tavolinë, do të nevojiten negociata të tjera para se të arrihet një armëpushim përfundimtar dhe çlirimi i të gjithë të burgosurve. Negociatat për fazën e dytë do të fillojnë në ditën e 16-të të armëpushimit, tha një zyrtar izraelit, dhe mediat njoftojnë se faza e dytë, nëse arrihet, do të mundësojë çlirimin e të burgosurve të mbetur.
Sipas marrëveshjes së propozuar, Izraeli do të ruajë një zonë tampon përgjatë Korridorit Filadelfia në jug të Gazës, si dhe një shirit prej 800 metrash në kufirin verior dhe lindor të Gazës, shkruan cnn.
Në fazën e dytë, Hamas do të lirojë të burgosurit e mbetur, burrat e rritur të lënduar nën 50 vjeç në këmbim të më shumë të burgosurve të sigurisë dhe “tërheqjes së plotë” të forcave izraelite nga Gaza, sipas projekt-marrëveshjes në të cilën AP ka pasur mundësi të shikojë.
Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë të burgosurit e mbetur pa përfunduar lufta dhe pa tërheqjen e plotë të Izraelit, ndërsa Netanyahu ka premtuar në të kaluarën se do të luftojë deri sa aftësitë ushtarake dhe menaxhuese të Hamasit të eliminohen. /Telegrafi/