Një udhëheqës i lartë politik i Hamasit, Khalil al-Hayya, ka konfirmuar vdekjen e liderit të grupit, Yahya Sinwar.
Ai tha se vdekja “vetëm se do të na forcojë”, shkruan skynews.
Al-Hayyaa – zëvendës shefi i Hamasit në Gaza dhe kryenegociatori i grupit – dha një deklaratë televizive në të cilën ai përsëriti se nuk do të lirojë pengjet izraelite të kapura në sulmin e 7 tetorit mbi Izraelin derisa “agresioni” në enklavën e rrethuar palestineze të ndalojë dhe të tërhiqen forcat izraelite.
“Ata të burgosur nuk do të kthehen tek ju para përfundimit të agresionit në Gaza dhe tërheqjes nga Gaza”, tha ai.
Zyrtari i Hamasit shtoi se vdekja e liderit do të kthehet në “mallkim për pushtuesit”.
Ndryshe, 62-vjeçari ndihmoi në krijimin e krahut ushtarak të Hamasit, Brigadat Qassam, por u bë i njohur si “kasapi i Khan Younis” për angazhimin e tij në kërkimin dhe gjetjen e spiunëve izraelitë dhe palestinezëve të dyshuar për bashkëpunim.
Ai u dënua në vitin 1989 për vrasjen e dy ushtarëve izraelitë dhe katër palestinezëve dhe u dënua me katër burgime të përjetshme, por i kreu 22 vjet përpara se të lirohej në vitin 2011 si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi të burgosurish që pa një ushtar të kapur izraelit të shkëmbyer për më shumë se 1000 palestinezë.
Gjatë kohës së tij në burg, Sinwar iu përkushtua studimit të armikut të tij, mësimit të hebraishtes dhe leximit të veprave të sionistëve të hershëm, si dhe politikanëve izraelitë.
Pasi u kthye në Gaza, Sinwar u ngrit shpejt brenda udhëheqjes së Hamasit dhe u emërua udhëheqës në vitin 2017. Ai i mbijetoi një atentati pasi u rizgjodh në vitin 2021. /Telegrafi/