Babai i dy fëmijëve ka përshkruar për BBC momentin kur e ka kuptuar se gruaja dhe vajzat i janë marrë peng nga Hamasi në Gaza.
Gruaja e Yoni Asher, Doron dhe fëmijët e tyre Raz (5) dhe Aviv (3) ishin te familjarët në afërsi të kufirit me Gazën.
“Të shtunën rreth orës 10:30 të mëngjesit, ndodhi thirrja e fundit kur edhe bisedova me gruan”, tha Asher, transmeton Telegrafi.
“Më tha që terroristët e Hamasit janë futur në shtëpi. Kanë qenë në një dhomë të sigurt dhe të mbrojtur, e më pas është ndërprerë linja. Më vonë kam arritur të lokalizojë telefonin e saj dhe figuronte se ishte brenda Gazës”, shtoi Asher.
E frika e tij më e madhe më vonë u konfirmua kur pa videon ku njerëzit futeshin në një kamion.
“Në video e njoha gruan dhe dy vajzat, dy bebet tona. Nuk e di me çfarë preteksti i mbajnë, por situata po bëhet çdo herë e më e rëndë”, tha ky burrë nga Izraeli. /Telegrafi/