Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka reaguar pas arrestimeve të djeshme të zyrtarëve komunalë të Pejës, të dyshuar për korrupsion.
Haliti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se uron që arrestimet e fundit të mos kenë prapavijë politike të instrumentalizuar para zgjedhjeve lokale.
“Zakonisht, nuk përzihem në çështje të drejtësisë. Por, uroj që arrestimet e fundit të mos kenë prapavijë politike të instrumentalizuar para zgjedhjeve lokale”, ka shkruar Haliti, transmeton Telegrafi.
Përndryshe, Haliti ka thënë se është ithtar e mbështetës i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Motoja ‘askush përmbi ligjin’, dhe kontrolli ligjor publik e politik ndaj të gjitha institucioneve për të ndërtuar shtetin e së drejtës duhet të jetë obligim i përgjithshëm”.
“Të gjithë ata që përpiqen të barrikadohen me arsyetimin se përgjegjësia e tyre është brenda klanit, e në kundërshtim me praktikën ligjore evropiane, duhet shkarkuar sipas ligjeve në fuqi, e kur ligjet nuk parashikojnë mënyrën dhe vendin e llogaridhënies për të gjithë, duhet amandamentuar ligjet”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë të hënën ka bërë të ditur se pas hetimeve nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ndërtimet e kundërligjshme, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 7 persona të dyshuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në Komunën e Pejës. /Telegrafi/