Telegrafi

Haliti thotë se organet drejtuese të PDK-së janë pro demarkacionit, por nuk e di se si deputetët do të votojnë

Një numër i deputetëve nga radhët e dy partive në pushtet, PDK-LDK, janë shprehur kundër votimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa disa të tjerë ende kanë dilema. Njëri nga ta që ende nuk ka vendosur se si do të votojë është Xhavit Haliti. nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së.

Haliti i cili kishte kundërshtuar mënyrën se si është bërë marrëveshja me Malin e Zi, ka thënë se organet drejtuese të partisë kanë marr vendim që kjo marrëveshje të votohet.

“Vendimet Këshillit Drejtues, Kryesisë dhe grupit parlamentar janë të obligueshme për secilin, pa marrë parasysh qëndrimin e tij personal. Por, shumë herë ne nuk i kemi respektuar vendimet e partisë dhe deputetët kanë votuar kundër qëndrimit të grupit parlamentar. Të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet”, ka thënë Haliti për lajmi.net.

Kritika Haliti ka për Komision Shtetëror për të cilin ka vlerësuar se ka qenë i pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë.

“Ky komision, kam përshtypje, s’i ka pasë disa harta, ka ngrënë dreka e darka e nuk ka pasur fuqi dhe mundësi me ndryshu as Marrëveshjen e Kumanovës, Pakon e Ahtisarit, e as Marrëveshjen e Vjenës që është zhvilluar në kuadër të bisedimeve”, ka thënë Haliti.

Më 1 shtator në Kuvendin Kosovës do të jetë në rend dite miratimi i Marrëveshjes për demarkacionin.