Telegrafi

Haliti: Roli i Kurtit në UÇK ka qenë minor

Xhavit Haliti, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës ka folur në lidhje me diskutimet e fundit për rolin të cilin e ka pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Haliti në një intervistë për ATV ka thënë se roli i Kurtit në UÇK ka qenë minor.

“Unë e di kohën kur ai është angazhuar. Ai është angazhuar në zyrën e z.Demaçi si sekretar i tij dhe z.Demaçi ka qenë i ngarkuar për ndërtimin e Asamblesë së Kosovës në atë kohë, kur nuk ka funksionuar parlamenti i atëhershëm i Kosovës që është shpërndarë. A ka qenë në beteja ose jo unë nuk e di këtë se nuk e kam pa, s’kom qenë as vet këtu dhe s’mund të them që unë e di. Por roli i tij në UÇK ka qenë minorë në kuptimin si UÇK, por unë kam fol me bacin Adem vet saherë në lidhje me Kurtin, ai ka qenë njohës i mirë i gjuhës angleze dhe asaj serbe dhe shqipe kuptohet dhe i ka shërby bacit Adem shumë në komunikim dhe përkthime”, tha ai.

Haliti gjithashtu ka treguar për një përplasje që ka pasur kryeministri i vendit në atë kohë me strukturat drejtuese të UÇK-së.

“Mirëpo ai e ka pasur një përplasje me strukturat drejtuese të UÇK-së, të cilat ia kanë ndaluar që të flasë në emër të UÇK-së. Ai ka bërë një deklaratë që si ka pëlqye drejtuesve kryesor të UÇK-së dhe ia kanë tërhequr vërejtjen”, tha ai në ATV.

Haliti ka shtuar se pjesë e UÇK-së kanë qenë edhe ata që kanë mbështetur ushtrinë, si për shembull me ushqim dhe se nuk mund të themi se kush ka bërë më shumë apo më pak.