Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi tha sot se kërcënimet e Serbisë kurrë nuk duhet të nënçmohen, megjithatë sipas saj Kosova duhet ta ndërtojë një tregim paqeje e prosperiteti.
Halimi në një postim në Facebook shkruan se fatkeqësisht me këtë mendësi politike të VV-së, ky tregim perceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthyese.
“Kërcënimet e Serbisë kurrë nuk duhet të nënçmohen, porse, përfshirja e luftës dendur në diskursin publik për qëllime populliste e konsum të brendshëm, nuk po e dëmton Serbinë, por fatkeqësisht imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shkruan ajo.
Sipas saj, nuk ka fuqi kredibile financiare në botë që investon kapitalin e vet në një vend ku rreziku potencial për luftë është i lartë.
“Paqja, siguria e qytetarëve është duke u mbikëqyrë nga aleatët tanë të NATO-s, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova duhet ta ndërtojë një tregim paqeje e prosperiteti, por fatkeqësisht me këtë mendësi politike të VV-së, ky tregim perceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthyese. Përhapja e panikës së luftës, me qëllim që qytetarët tanë të mos kërkojnë zhvillim e mirëqenie, por të mjaftohen me paqen, në planin afatgjatë do të ketë pasoja të mëdha për vendin”, shkruan ndër të tjera Halimi. /Telegrafi/