Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, duke folur për procesin e rinumërimit të 1,407 ka thënë se javën e ardhshme KQZ do t’i shpall rezultatet përfundimtare.
Halimi në një intervistë për “Përballje ditore” në Telegrafi.com ka folur edhe për problemet me votat e ardhura me postë si dhe ato nga Serbia.
Sipas tij tek votat me postë procesi i votimit lidhet me aspektin e gjithë-përfshirjes.
“Me Ligji tonin standardi i gjithë-përfshirjes është mirë i mbuluar. Këtu hyjnë edhe votat jashtë Kosovës, ata që kanë nënshtetësi të Kosovës dhe jetojnë jashtë vendit. Problemi apo çështja e votimit me postë ndërlidhet me aspektin e gjithë-përfshirjes, pra ne kujdesemi të kemi gjithë-përfshirje. Mirëpo, gjatë kësaj kohe mund të cenohet procesi në kuptimin e fshehtësisë së votës. Pra janë këto disa cenime ku luajnë rol”, është shprehur ai.
Lidhur me votat e ardhura nga Serbia, ku gjatë numërimit të të cilave u shkaktuan probleme pasi që nga kundërmimi i tyre u shfaqen disa reaksione tek punëtorë, Halimi tha se ende po presim raport nga organet e hetuesisë.
“Për votat nga Serbia, është raportuar që ka kundërmim nga ata zarfe që kanë filluar të procesohen në qendrën tonë këtu. Dhe si i tillë është raportuar tek organet tjera, ku më pas janë marr organet e hetuesisë, policisë, forenzikës. Një pjesë e personelit që kanë punuar me ato zarfe kanë pasur reaksione përmes kontaktit. Ata janë dërguar në Kliniken Infektive. Tani ne jemi në pritje të hetimeve zyrtare se çka ka ndodhur. Neve nuk na përket më shumë të merremi me këtë punë”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera ai ka folur edhe për fletëvotimet e pavlefshme duke thënë se janë diku 25 mijë të tilla.
“Nuk është 40 mijë numri i fletëvotimeve të pavlefshme, ka qenë gabim në sistem nën ethet për të pasur rezultate sa më të shpejta. Por, janë diku rreth 25 mijë , dhe ky është numër më i ulët se në zgjedhjet e tjera. Nga vitit 2013 administrimi i procesit zgjedhor ka vlerësime për trend pozitivë. Edhe këtu kemi mbajt një trend të tillë pozitiv, ku ka pasur rezultate më të tej-zgjatura”, ka thënë ai duke përmendur edhe rishikimin e ligjit për zgjedhjet.
“Nuk më përket të flas për reformën zgjedhore por, një rishikim i legjislacionit në lehtësim të procedurave të zgjedhjeve është i pranuar për neve. Për të lehtësuar disa procese ne do t’i përgjigjemi dhe i jemi përgjigjur ftesave të Kuvendit, pra kur ka të bëj me rishikim dhe lehtësim të legjislacionit”, ka thënë ai.
Ndryshe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë mbajtur me 6 tetor, ku kanë marrë pjesë 25 subjekte politike./Telegrafi/