Site icon Telegrafi

Halim Hyseni: Absurde që mësimdhënësin e matematikës ta vlerësojë kimisti (Video)

Halim Hyseni, ekspert i arsimit, është shprehur skeptik me nismën e Ministrisë së Arsimit për të filluar një proces vlerësimi ndaj mësimdhënësve.

“I kam dyshimet e mia, se është një nismë që nuk janë bërë përgatitjet e duhura”, tha Halimi.

Ai, në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se është absurde të kërkohet performanca e mësuesve të anglishtes kur nxënësit e klasës së parë nuk kanë libra të kësaj lënde.

“Nuk duhet të ngutemi sepse do të dështojmë përsëri”.

Hyseni ka thënë se është e palogjikshme që vlerësimin e një mësimdhënësi të gjuhës angleze apo gjuhës gjermane ta bëjë dikush që nuk i përket këtyre lëmive.

“Si është e mundur që mësimdhënësin e matematikës ta bëjë një inspektor me profesion kimist. Mund të jetë kimist i mirë, por nuk e di matematikën”.

Eksperti i arsimit ka thënë se nuk mjafton të matet vetëm performanca e mësimdhënësve por performanca e këtyre të fundit duhet të bëhet edhe përmes rezultateve të nxënësve, sepse sipas tij ata janë pasqyra më mirë e mësimdhënësve.

“Duhet të matën aftësitë, shprehitë, dijet e nxënësve, sepse nxënësit pasqyrojnë më së miri performancën e mësimdhënësve”, tha Hyseni./Telegrafi/

Exit mobile version