Site icon Telegrafi

Haki Shatri reagon ndaj VV-së: Kosova ka borxh publik vetëm 17 për qind të GDP

Këshilltari i kryeministrit, Haki Shatri, ka demantuar pohimet e Lëvizjes Vetëvendosje rreth rritjes së borxhit publik të Qeverisë së Ramush Haradinaj, duke thënë se Kosova ka borxhin më të vogël publik nga të gjitha vendet e rajonit.

Lëvizja Vetëvendosje kishte deklaruar se Qeveria Haradinaj e ka rritur borxhin publik të vendit në 1.2 miliardë euro.

Në reagimin e tij, këshilltari Haki Shatri thotë se një gjë e tillë është plotësisht e pavërtetë dhe se Kosova ka borxh publik vetëm 17 % të GDP që është ngarkesa më e vogël nga të gjitha vendet e rajonit.

“Në mandatin e kryeministrit Haradinaj, huaja publike nuk tejkalon parametrat e pranueshëm. Struktura e investimeve është e përcaktuar me buxhetet vjetore, përmes marrëveshjes me FMN /klauzola e investimeve/ku hyjnë investimet në hekurudhë, në infrastrukturë por edhe investimet në rrugë, si shembull rruga për Mitrovicë dhe pjesa e rrugës për Pejë/Kijevë -Zahaq e cila fillon në shtator. Secila kredi shtetërore duhet të ratifikohet në Kuvend. Nuk ka asgjë misterioze në shpenzimet dhe huat”, thuhet në reagim.

“Kriteret e FMN-së e lejojnë borxhin deri në 40% të GDP. Është mirë që Lëvizja Vetëvendosje, para se të dalë me “fakte” (shpifje) të bëjnë analiza të sakta. Nuk duhet që të mashtrohen qytetarët me manipulim të shifrave për qëllime politike. Faktet janë fakte, e ato tregojnë që zhvillimi ekonomik, si prioritet i Qeverisë ka dhënë rezultate të prekshme”, përfundon reagimi.

Exit mobile version