Haki Rugova, kryetar i komunës së Istogut, në një prononcim për Telegrafin ka folur për rastin ku një person ka tentuar të hyjë në zyrën e tij në gjendje të dehur si dhe i armatosur.
Rugova tha se rasti është hapur në polici dhe se nuk e njeh personin i cili tentoi të hyjë në zyrën e tij.
“Ajo është që ka thënë policia. Nuk e njoh personin. Komuna s’ka problem me dikë”, ka thënë shkurt Rugova.
Ndryshe, nga Policia e Kosovës është raportuar se është arrestuar një i dyshuar në Istog, i cili në gjendje të dehur fillimisht kishte shtënë me armë zjarri para një restoranti e më pas ka shkuar tek Kuvendi Komunal-Istog, me qëllim që të hyjë në zyrën e kryetarit, por është ndaluar nga personat përgjegjës.
Rasti ka ndodhur të mërkurën në 14:25.
Nga i dyshuari është konfiskuar arma-revole e llojit: “Si Sauer”, me një karikator, 9 fishekë kal. 9 mm, si dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja.
Ndërkaq, me vendimin e prokurorit, i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes. /Telegrafi/