Telegrafi

Hakerët koreano-veriror vodhën kriptovaluta në vlerë të mbi 38 milionë eurove për të financuar programin bërthamor

Hakerët koreano-veriror vodhën kriptovaluta në vlerë të gati 41 milionë dollarëve (38.3 milionë eurove) nga një kazino online dhe një faqe për bastet sportive – paratë që pritet të përdoren për të fuqizuar programin e armëve bërthamore të vendit para një marrëveshje të pritur me Rusinë.

FBI njoftoi të mërkurën se kishte gjurmuar hakimin e Stake.com në Korenë e Veriut dhe grupin e saj, Lazarus të sponsorizuar nga shteti, i cili ka vjedhur më shumë se 200 milionë dollarë (186.8 milionë euro) në kriptovaluta vetëm gjatë vitit të kaluar.

Në vitin 2022, kompania hulumtuese e blockchain, “Chainalysis” zbuloi se në nivel botëror ishin vjedhur 3.8 miliardë dollarë (3.55 miliardë euro) nga biznesi i kriptomonedhave, raporton nypost.

Akoma më shqetësues për zyrtarët amerikanë është fakti se ky shfrytëzim i fundit erdhi vetëm disa ditë përpara takimit të pritshëm të liderit të Koresë së Veriut, Kim Jung-un me presidentin rus, Vladimir Putin, kur dy liderët pritet të arrijnë një marrëveshje armësh për të ndihmuar Rusinë në vazhdimin e pushtimit të Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar më parë se Koreja e Veriut po dërgon predha artilerie dhe raketa në Rusi dhe ishte vendosur të negocionte për më shumë marrëveshje armësh.

Është e paqartë se çfarë saktësisht mund t’i ofrojë lideri koreano-verior aleatit rus ndërsa po vazhdon lufta në Ukrainë, por analistët thonë se hakimet e fundit të kriptomonedhave i kanë dhënë vendit komunist disa fonde që mund t’i përdorë për armë.

Në hakimin më të fundit, Lazarus Group vodhi 16 milionë dollarë (rreth 15 milionë euro) në Etherium, si dhe monedha të qëndrueshme si USDT, USDC dhe DAI.

Kjo u pasua nga tërheqje të tjera prej 25 milionë dollarësh (23.3 milionë euro) në MATIC dhe BNB.

Kompania ndaloi depozitat dhe tërheqjet pas shkeljes, por rivendosi të dy funksionet menjëherë pas kësaj dhe po vazhdon të operojë. /Telegrafi/