Site icon Telegrafi

Hajrullahu: Tirana ishte si Parisi e Brukseli, inatet mes Kurtit e Ramës dëmtojnë dy vendet

Nikoqirja e Samitit të Berlinit, Tirana, ishte Parisi e Brukseli dhe ky ishte mesazhi më i mirë që mund të ndodhte në Ballkanin Perëndimor.

Kështu tha kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, në emisionin “Tempus”, në KTV.

Sipas tij, inatet mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, dëmtojnë të dyja vendet.

“Duhet me thënë shumë haptas, sot Tirana ishte Parisi, ishte Brukseli dhe ky ishte mesazhi më i mirë që mund të ndodhte në Ballkanin Perëndimor. Mos të harrojmë, konkurrenca për të mbajtur këtë Samit te vendet e Ballkanit Perëndimor, është jashtëzakonisht e madhe”, tha Hajrullahu.

Ai shtoi se është vërejtur një lloj xhelozie nga ana e Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila edhe kur u përshendet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama nuk ishte në humor të mirë, sepse sipas tij sigurisht i pengonte edhe flamuri i Kosovës.

Megjithatë, Hajrullahu tha se kishte një mesazh shumë të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, mesazhi i krerëve të Bashkimit Evropian, ishte se a jemi vonë apo herët për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Çështja tjetër që unë e pash në shumë aspekte, kishte një mesazh shumë të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor… Mesazhi i tyre është se a jemi vonë, a jemi herët sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Hajrullahu.

Po ashtu, ai theksoi edhe përshendetjen e kryeministrit Rama me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ku njëri-tjetrin e quanin “më i miri i tonve” dhe “baba i kombit”, mund të jenë ndonjë lloj mesazhi për t’u dërguar tek kryeministri Kurti.

“Dëmi personal që  ata mund t’ia bëjnë njëri-tjetrit, po i dëmton relacionet Kosovë-Shqipëri dhe kjo nuk do duhej të ndodhte, këto inate që ata po i kanë në vazhdimësi edhe në deklarata. Ju e keni pa që zotri Rama për shembull tha para dy-tri ditësh që çështja e veriut- Banjskës nuk do të jetë aty diskutim, por në fjalimin e zotit Kurti, ai e nis me çështjen e Basnjskës dhe sulmit terrorist që ndodhi në pjesën veriore të Kosovës”, shtoi Hajrullahu. /Telegrafi/

 

Exit mobile version