Site icon Telegrafi

Hajrullahu: Kosova e Shqipëria kanë nevojë të forcojnë bashkëpunimin, jo vetëm me mbledhje për të krijuar spektakël

Në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus është diskutuar për anulimin e mbledhjes së përbashkët të kabineteve qeveritare të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu përmes një videolidhje nga Prishtina ka komentuar për televizionin Vizion Plus ato që dihen deri më tani për këtë zhvillim.

Hajrullahu kujton se Lëvizja Vetëvendosje kishte ftuar të raportojë në Kuvend kryeministrin Avdullah Hoti në një datë që kishte korresponduar me takimin e planifikuar të kabineteve qeveritare në Shkodër.

“Shtyrja e këtij takimi solli një reagim të disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. I pari që reagoi ishte shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili i kërkoi qeverisë të mos ndërpresë takimet me qeverinë e Shqipërisë por  të ndërpresë ato me Vuqiçin”.

Kryeredaktori i Telegrafit kujton edhe deklaratën e deputetes tjetër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila e cila e ka konsideruar se nuk dihet arsyeja e vërtet pse Hoti ka kërkuar shtyrjen e takimit.

“Edhe ne si gazetarë ende nuk e dimë pse ka ndodhur kjo shtyrje. Ndoshta nuk janë përgatitur mjaftueshëm dy qeveritë për takim apo marrëveshje”.

Hajrullahu thotë se deri më tani takimet kanë qene glamuroze vetëm për përdorim politikë ditorë.

“Kujtojmë takimin e kryeministrave Rama e Haradinaj kur vendosnin duart së bashku në flamurin kombëtarë, e në fund çfarë ndodhi mes tyre? Akuza e kundër akuza për tradhti e ndarje të Kosovës, e me padi…Fluksin e shqiptarëve të Kosovës në bregdetin shqiptarë për të ndihmuar sadopak Shqipërinë e shoh më shumë si bashkëpunim se bashkëpunimet politike që mbesin vetëm në fotografi”.

Kryeredaktori i Telegrafit është pyetur edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Në Kosovë pak po shoh diskutim përmbajtjesorë se çfarë përfiton Kosova dhe çfarë humb Kosova. Qeveria thotë se gjithçka është mirë. Është ruajtur integriteti territorial i Kosovës. Kampi opozitar po thotë marrëveshja është e keqe pasi vendosi Serbinë në Kosovë përmes Ujamnit dhe Mini-Schengenit pastaj i hapëm derën asaj përmes autostradave daljen në Adriatik. Nuk ka analizë përmbajtjesore. Këto nuk po diskutohen në nivelin e temave ekonomike”, tha ndër të tjera Muhamet Hajrullahu./Telegrafi/

 

Exit mobile version