Çifti i njohur Shakira dhe Pique janë përballur së fundmi me një ngjarje aspak të këndshme.
Ata ishin jashtë vendit për disa ditë, gjersa pas rikthimit në shtëpinë e tyre në Barcelonë, kanë parë se shtëpia e tyre është thyer nga hajdutët.
Sipas mediave spanjolle, prindërit e futbollistit ishin në gjumin në momentin që ngjarja ka ndodhur, mirëpo fatmirësisht ata nuk kanë pësuar ndonjë traumë apo lëndim.
Madje sipas raportimeve, ata as nuk e kanë kuptuar që hajdutët kanë hyrë në shtëpi deri në momentin kur janë zgjuar në mëngjes.
Policia nuk ka treguar në detaje se çfarë është vjedhur, mirëpo sipas burimeve hajdutët janë larguar me bizhuteri të shtrenjta me vete në një grabitje të cilësuar si “jo të dhunshme”.
“Ata janë futur brenda shtëpisë ose përmes dritares ose ballkonit, në heshtje, në mënyrë që të mos dëgjohen nga banorët ose fqinjët”, shkruan Daily Mail.
Shakira dhe Pique ishin në Cologne të Gjermanisë, për koncertin e këngëtares, gjersa Pique do të udhëtojë prapë për në Rusi, shkaku i Kampionatit Botëror 2018.
Lidhur me vjedhjen në fjalë, Policia konfirmon se nuk është kryer ende asnjë arrestim. /Telegrafi/