Telegrafi

Hajdutët hyjnë në apartamentin e Mahrez, vjedhin orë të shtrenjta dhe gjësende tjera në vlerë prej gjysmë milion funte

Riyad Mahrez (Foto: Instagram/riyadmahrez26.7/The Sun)

Futbollistit algjerian, Riyad Mahrez, i janë vjedhur tre orë luksoze nga hajnat, të cilët i kanë vjedhur edhe gjësende tjera në vlerë totale prej 500.000 funtesh (555.760 euro).

Krahas orëve të shtrenjta, në apartamentin e tij, hajnat kanë vjedhur edhe fanella të rralla futbolli dhe byzylykë të shtrenjtë.

Hajdutët e kanë përcjellë me kujdes yllin e Manchester Cityt para se të hynin në apartamentin e tij nën kulm dhe të kryenin vjedhjen.

(Foto: The Sun)

Tre orët e Mahrezit ishin: Richard Mille në vlerë prej 230.000 funtesh (255.650 euro); Rolex Daytona në vlerë prej 40.000 funtesh (44.460 euro) dhe Rolex Day Date në vlerë prej 35.000 funtesh (38.900 euro).

Në shtëpi, vjedhësit kanë gjetur edhe 50.000 funte (55.580 euro) para të thata, fanella të rralla futbolli byzylykë Cartier në vlerë prej afro 150.000 funtesh (166.730 euro).

Futbollisti, i cili përfiton 200.000 funte në javë (222.310 euro) kishte dalë mbrëmjen kur hajdutët kanë hyrë në shtëpinë e tij në qendër të Mançesterit. /Telegrafi/