Site icon Telegrafi

Hajdari takohet me ministrin grek: E njoftova se sulmi terrorist në veri ishte i përgatitur mirë me ndihmën e Serbisë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar të shtunën se gjatë qëndrimit në Tiranë ku ka marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Ekonomisë të Procesit të Berlinit, është takuar me ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Greqisë, Konstantinos Hatzidakis.

Ky i fundit sipas ministres, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe interesimin për të kuptuar më shumë për situatën me sulmin terrorist në veri të Kosovës, “për të cilin sulm e njoftova se ishte i përgatitur dhe pajisur mirë me ndihmën e Serbisë”.

Tutje, Hajdari ka bërë të ditur se në këtë takim bilateral, Hatzidakis ka shprehur interesim për bashkëpunim më të thellë ekonomik në mes dy vendeve, duke pasur parasysh se eksportet greke janë numër dy në Kosovë.

“Ai gjithashtu, vuri në theks se kompanitë greke duan të zgjerojnë praninë e tyre në Kosovë dhe tashmë ka disa biznese greke në vendin tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Duke e njoftuar për progresin ekonomik, përparësitë në sferën e investimeve të huaja, ambientin e të bërit biznes dhe sundimin e ligjit në vendin tonë, me ministrin z. Hadzidakis u pajtuam që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të forcohen, në veçanti tregtia e mallrave, shërbimeve dhe investimet, si dhe për rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat nga të dy vendet veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në bashkëpunim dypalësh”. /Telegrafi/

Exit mobile version