Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është deklaruar sërish në lidhje me ngritjet e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike.
Hajdari përmes një shënimi në Facebook ka thënë se në bazë të dhënave nga dogana, ka një rënie të çmimit të importit të grurit dhe sipas saj ngritja e çmimit të bukës është e pa arsyeshme.
“Sot në konferencë për media bashkë me kryesuesin e Shoqatës së Mullisëve z. Bashkim Zejnullahu, konfirmuam se kemi furnizim të mjaftueshëm në treg me grurë dhe miell dhe nuk është e arsyeshme rritja e çmimit të bukës”.
“Në ditët e fundit, çmimi i një buke po ndryshon nga 0.45 cent deri në 0.60 cent në disa furra buke, derisa të dhënat e përditësuara të Doganës së Kosovës, për dallim nga muaji maj 2022, konfirmojnë rënie në 7% të çmimeve furnizuese të grurit dhe miellit”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thotë se janë duke analizuar çmimet bazike të tregut.
“Për më shumë, Grupi Punues i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka analizuar çmimet me evidencë nga tregu, për produktet bazë: gruri, mielli, buka, orizi, pastat nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjenike, duke konstatuar se:
– marzha tregtare e produkteve bazë të shumicës së operatorëve ekonomik, ka ndryshime nga 8% deri në 19.40% varësisht nga produkti;
-disa operatorë ekonomik tregtojnë me marzhën tregtare nën 5% për produktet bazë”.
Ajo ka paralajmëruar se do të caktojnë marzhën e fitimit në produkte bazike.
“Prandaj, bazuar në evidencë, do të propozojmë masa direkte për të minimizuar manipulimet në çmimet e produkteve bazë, në koordinim të afërt me Inspektoratin e Tregut në nivel qendror dhe komunal, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Autoritetin e Konkurrencës dhe Komunitetin e Biznesit”, ka shkruar tutje Hajdari./Telegrafi/