Site icon Telegrafi

Hajdari: Kosova ka potencial rininë, por mungon aftësimi dhe arsimi profesional

Kosova e ka potencial kryesor rininë dhe përmes kësaj vendi mund të arrijë shumë për zhvillim dhe transformim të industrisë, por mungon më shumë aftësimi dhe arsimi profesional.

Kështu u tha në Edicionin e Shtatë të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë 2022 organizuar nga Qeveria e Kosovës, GIZ, Universiteti i Prishtinës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Ky panair sjell mundësi të shumta në zhvillimin e karrierës për studentë dhe të diplomuar, ofron mundësi eksplorimi të vendeve të lira të punës dhe mundësi tjera që do të prezantohen nga rreth 200 kompani dhe institucione pjesëmarrëse, raporton Kosovapress.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se vizioni i ministrisë pas shumë analizave është transformimin i industrisë së vendit në një industri më të integruar globalisht.

“Kosova ka potencialin kryesor rininë dhe me këtë potencial ne mund të arrijmë shumë për zhvillim dhe transformim të industrisë sonë, por mungon më shumë aftësim, arsim profesional. Industritë tona kanë nevojë më shumë për përafrim të kualifikimeve për nevojën e industrisë.

Me politikën industriale dhe me Ligjin për Odën Ekonomike, ne do të sjellim më shumë për aktivitete të industrisë sonë për arsim dhe aftësim profesional, por edhe më shumë përmes ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të reformuar të gjitha profesionet për aftësim dhe aftësim profesional.

Vizioni i ministrisë pas shumë analizave të industrisë është që ne synojmë transformimin e industrisë së vendit në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë”, tha Hajdari.

Ajo theksoi se derisa synohet një transferim i njohurisë dhe teknologjisë është shumë me rendësi edhe angazhimi i diasporës dhe investimet e huaja.

Përfaqësuesi nga Ambasada Gjermane, Sebastisan Leuschner konsideron se panairet e tilla janë shumë të rëndësishme për punëkërkuesit.

“Dhe këtë vit 200 kompani dhe institucione po promovojnë zhvillim të karrierës, mundësi të zhvillimit të karrierës dhe sektorëve të ndryshëm në mbarë vendit.

Qytetarët e Kosovës dhe punëkërkuesit sidomos, mund të kërkojnë vende pune konkrete dhe mundësi të zhvillimit të karrierës. 200 ekspozues kanë 10 mijë vende të praktikës profesionale, ky panair ofron koncepte më të gjëra dhe përftime për punëkërkuesit dhe për shoqatat e bizneseve dhe punëdhënësit mund t’i promovojnë vendet e tyre të punës të kompanive të tyre për punëkërkues, mund të vizitojnë ofertat të cilat janë në dispozicion”, tha Leuschner.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi theksoi se Universiteti i Prishtinës ka nevojë për përditësim.

Qerimi tha se po punojnë në krijimin dhe avancimin e programeve studimore që kërkohen nga tregu i punës, siç janë shkencat e aplikuara.

“Ky organizim ndër vite është përditësuar dhe vazhdon që të zhvillohet. Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar që të krijojë lidhje të fuqishme me tregun, nevojat dhe perspektivat e tij. UP ka gjithashtu nevojë të përhershme për përditësim, ka nevojë që të ndjek trendin botëror si në kualifikimin e programeve, ashtu edhe në zhvillimin e kurikulave studimore.

Duke parë këtë nevojë edhe në planin publik që kam paraqitur, kam paraparë krijimin e qasjeve të reja të profesionit. Ne po punojmë në krijimin dhe avancimin e programeve studimore që kërkohen nga tregu i punës, siç janë shkencat e aplikuara”, tha Qerimi.

Rrahim Trepça, përfaqësues i GIZ Kosova ka treguar për organizimin e panairit.

Trepça për KosovaPress tha se gjatë këtij edicioni të panairit e kanë shtuar edhe sektorin e ndërmarrësisë. Sipas tij përmes kësaj synohet të bëhet rrjetëzimi i bizneseve.

“Ky është edicioni i shtatë me radhë i panairit që mbahet, panairi i punës, karrierës dhe ndërmarrësisë. Ndërmarrësia është një komponentë e re që e kemi shtuar në këtë edicion, përmes pavijonit të ndërmarrësisë pretendojmë kryesisht të bëjmë rrjetëzim të bizneseve. Kryesisht është pavion i cili fokusohet në punën biznes me biznes. Sa i përket komponentës së punës dhe karrierës ka shumë institucione edukative arsimore të cilat ofrojnë programe të ndryshme për studime bachelor, master dhe doktoratur, tjera shkolla profesionale që ofrojnë trajnime profesionale”, tha ai Trepca.

Besiana Bajraktaraj, përfaqësuese e një prej nga kompanive në vend, tha se panairi është shumë i rëndësishëm për rrjetëzimin e bizneseve.

“Panairi i punës është shumë i rëndësishëm edhe për kompaninë tonë, për arsyeje se ofron edhe mundësi për punësimin e të rinjve dhe ndikon pozitivisht tek ne..18:22 Na shërben edhe për rrjetëzimin e kompanive të reja për shkak se ka edhe shumë kompani këtu që operojnë me të njëjtën kategori si tonën”, tha Bajraktaraj.

Xili Gashi, po ashtu përfaqësuese e njërës nga kompanitë vendore në vend theksoi sa e rëndësishme është pjesëmarrja në panaire.

Çdo panair është shumë me rendësi, sepse marrim kontakte të reja, është me rendësi nëse edhe dikush është i interesuar të gjejë punë, pasi na duhen punëtorë”, tha Gashi.

Exit mobile version