Telegrafi

​Hajdari: Aleatët ndërkombëtarë të bëjnë presion tek Serbia për të ndalur lobimin për çnjohje

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka kërkuar nga aleatët ndërkombëtar të Kosovës, që të bëjnë presion tek Serbia për ta ndalur fushatën e çnjohjeve.

“Qeveria e Kosovës ditën e djeshme veproj duke treguar vullnet dhe përkushtim, por që presim edhe nga aleatët ndërkombëtar që të bëjnë presion tek Serbia në drejtim të eliminimit të plotë të barrierave jo tarifore të aplikuara ndaj kompanive kosovare, si dhe të ndal lobimin e menjëhershëm agresiv të çnjohjeve për Kosovën”, tha Hajdari.

Lexo po ashtu Hajdari: Heqja e tarifës për lëndën e parë, ishte e domosdoshme

E para e Ekonomisë bëri të ditur se kanë bërë një grup punues, ku kanë mbledhur odat ekonomike, aleancat e bizneseve, doganat dhe klubin e prodhuesve, të cilët kanë punuar për t’i evidentuar barrierat që i ka Kosova për tregti me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Në këtë konferencë për media, ajo ka dhënë detaje edhe për urdhëresën për mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomike gjatë emergjencës së shëndetit publik, ku bëri të ditur se mbyllen veprimtaritë gastronomike si baret, pabet, kafiteritë, gjellëtoret, qebaptoret, restorantet e veprimtari tjera për shërbim të pijeve e ushqimeve.

Për shkak të krijimit të turmave, ajo tha se janë detyruar të ndërmarrim këto veprime.