Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë qëndrimit të tij në SHBA ka realizuar takim me eurokomesarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn. Ai në takim i ka thënë Zaevit të vazhdojnë të punojnë me reformat e filluara demokratike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ajo që do të arrini është e rëndësishme për perspektivën e vendit tuaj dhe gjithë rajonit”, ka thënë Hahn. Ai i ka vlerësuar iniciativat e qeverisë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal si të dobishme në procesin e integrimit të vendit në aleancat euroatlantike.
Zaevi njoftoi se Qeveria e Maqedonisë është aktivisht e fokusuar në realizimin e “Planit 3-6-9” dhe në aktivitetet e nevojshme për realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit.
Në takim është biseduar edhe për mundësitë për përparimin e Maqedonisë në planin ekonomik, përmes rritjes së interesit të investuesve vendor dhe të huaj./Telegrafi/