Site icon Telegrafi

Hahn: MSA dhe liberalizimi i vizave, lehtësira të mëdha për qytetarët e Kosovës

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, ka mbajtur një fjalim para anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian ku ka raportuar për arritjet dhe pritjet e BE-së në Kosovë, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Turqi e Serbi.

Në këtë raport të gjatë, Hahn ka folur shkurtimisht edhe për Kosovën, ku ka thënë se sfida e radhës për këtë vend është implementimi i MSA-së, por ka theksuar se problemet e brendshme politike nuk do të zgjidhen me implementimin e kësaj marrëveshjeje.

“Në Kosovë, sfida e radhës është implementimi i MSA-së. MSA nuk mund t’i zgjidh problemet e brendshme politike të Kosovës, por nëse implementohet si duhet, do të ndihmojë që Kosovën ta mbajë në rrugën e reformave dhe do të krijojë mundësi tregtare dhe investuese. Gjithashtu, kemi bërë një propozim për heqjen e obligimit të vizave për qëndrim afatshkurtër (në vendet Schengen) për Kosovën. Porsa të miratohet, kjo do të hap mundësi të reja për njerëzit që të lidhen me Evropën”, ka thënë Hahn në adresimin e tij para anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme, raporton Koha.net.

Hahn tha se BE do të vazhdojë të punojë shumë në funksionalizimin e institucioneve demokratike në vendet me potencial për anëtarësim në BE, ku, sipas tij, ka pasur ngecje të rëndësishme.

Sipas tij, gjendja politike në Maqedoni është e papranueshme, por ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i vazhdojë përpjekjet dhe do t’i ndihmojë partitë politike atje për të gjetur një zgjidhje.

Exit mobile version