Eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, është shprehur i bindur se Komisioni Evropian në fund të muajit maj do të rekomandojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Në një intervistë për “Handelsblat”, Hahn thotë se rekomandimi do të sillet në bazë të kritereve të përbashkëta të vendosura nga ana e vendeve anëtare të BE-së. Më pas vendimi të do dorëzohet tek vendet anëtare, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Hahn thekson se Shkupi dhe Tirana kanë merituar nisjen e negociatave.
“Marrëveshja historike për t’i dhënë fund kontestit të emrit me Greqinë dhe marrëveshja e miqësisë me Bullgarinë janë sinjale inkurajuese për të gjithë rajonin që zgjidhjet për mosmarrëveshjet e gjata janë të mundshme. Maqedonia e Veriut ka bërë gjithashtu përparim të mirë kur është fjala për reformat e brendshme. Vendi meriton një dritë jeshile për të filluar negociatat e pranimit sa më herët që të jetë e mundur – para pushimit veror”, tha Hahn.
Ndërsa sa i përket Shqipërisë, komesari Hahn thotë se ajo gjithashtu meriton nisjen e negociatave për shkak të reformave të brendshme, sidomos reformave në gjyqësi, por sipas tij, duhet më shumë punë në problemet me korrupsionin dhe krimin e organizuar./Telegrafi/