Site icon Telegrafi

Hahn fton vendet e BE-së në afat sa më të shkurt të hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, ka ftuar vendet anëtare të BE-së të miratojnë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, në afat sa më të shkurtë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve para fillimit të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së në Luksemburg, Hahn tha se vendet anëtare akoma po bisedojnë për këtë temë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Mund vetëm të përsëris se negociatat duhet të hapen në afat sa më të shkurtë të mundshëm, pasi nuk do të jetë sinjal vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për gjithë rajonin”, tha Hahn para takimit.

Ai vlerëson se mos dhënia e datës për Maqedoninë, mund të ndikojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse i hapim sërish negociatat me Serbinë dhe Kosovën, ata duhet të shohin se investimi në gjetjen e kompromisit politik shpërblehet, në të kundërtën nuk do të kenë motivim. Mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë sa është e rëndësishme të jepet sinjal për një vend në interes të të gjithë rajonit”, tha Hahn.

Për momentin në draft-përfundimet e BE-së, parashihet shtatori i këtij viti si datë për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por kjo për Hahnin nuk është e mjaftueshme.

I pyetur për qëndrimet e Francës dhe Holandës, të cilat ngurojnë më së shumti për hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, Hahn i ftoi që të kenë në mendje situatën rajonale në tërësi./Telegrafi/

Exit mobile version