Site icon Telegrafi

Haaland humbi një rast të qind për qind dhe e ka prekur topin vetëm tetë herë gjatë pjesës së parë ndaj Liverpoolit

Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland, ka prekur topin vetëm tetë herë gjatë ndeshjes së skuadrës së tij në Community Shield kundër Liverpoolit këtë mbrëmje.

22-vjeçari iu bashkua Cityt në një marrëveshje prej rreth 60 milionë eurosh muajin e kaluar dhe pritet të udhëheqë linjën për skuadrën e Pep Guardiolës këtë sezon.

Haaland ka qenë vrasës për RB Salzburg dhe Borussia Dortmund, por ka të ngjarë të marrë kohë për t’u përshtatur me futbollin anglez.

Lexo po ashtu Zhbllokohet Superkupa e Anglisë, Alexander-Arnold shënon supergol për epërsinë e Liverpoolit ndaj Cityt

Kjo gjë ishte e dukshme në 45 minutat e parë në Superkupën e Anglisë në King Power Stadium, ku reprezentuesi norvegjez mezi u përfshi.

Haaland u kontrollua mirë nga Virgil van Dijk dhe Joel Matip për pjesën më të madhe të pjesës dhe u pa i izoluar pasi Liverpooli kaloi në epërsi 1-0.

Përkundër kësaj, Haaland arriti të krijojë dy shanse për veten e tij vetëm pas gjysmë ore, ndërsa humbi një rast të qind për qind.

Ai e gjeti veten një me një me Adrianin, por gjuajti drejt spanjollit. Disa sekonda më vonë, Haaland pati një tjetër rast, por shkoi me këmbën e tij të gabuar dhe gjuajti si mos më keq.

Fansat kanë reaguar për paraqitjen e deritanishme të Haaland dhe në përgjithësi nuk u ka bërë përshtypje, pasi e ka prekur topin vetëm tetë herë gjashtë 45 minutave të parë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version