Site icon Telegrafi

Gwen Stefani dhe Blake Shelton zyrtarizojnë lidhjen

Është përfolur shumë për një lidhje të mundshme mes tyre, dhe tashti më në fund kjo gjë u konfirmua. Këngëtarët Gwen Stefani dhe Blake Shelton, të cilët janë anëtarë jurie të shout “The Voice of USA” dhe që të dy së fundmi janë shkurorëzuar nga partnerët e tyre, si duket kanë vendosur ta ngushëllojnë njëri-tjetrin me dashuri.

Siç raporton emisioni “Express” i KTV-së, dyshja ka disa muaj që është pjesë e mediave botërore, pasi dyshohej se janë në një lidhje të mundshme romantike, por ata ishin kujdesur që të tregoheshin sa më diskretë, duke këmbëngulur se janë vetëm miq të mirë, të cilët në të njëjtën kohë po kalojnë nëpër diçka të ngjashme, siç është shkurorëzimi, dhe se asgjë tjetër nuk po ndodh mes tyre.

Por sekreti nuk u ruajt shumë gjatë. Të mërkurën, zëdhënësi i Blake-ut deklaroi publikisht se ata janë çift, dhe lajmi menjëherë mori dhenë, duke zgjuar kureshtje të madhe tek adhuruesit e këngëtarëve. E pas shpërthimit të këtij lajmi, dyshja kishte vendosur që të shfaqet së bashku në publik, të kapur dorë për dore, dhe këtë e bënë pikërisht pas ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Country Music Association Awards” në Neshville, ku Shelton nuk arriti ta fitojë asnjë shpërblim, por ish-bashkëshortja e tij, Miranda Lambert, triumfoi fuqishëm me fitimin e disa prej shpërblimeve kryesore të mbrëmjes.

Edhe pse një çift i papritur dhe paksa i çuditshëm, pritet të shihet se sa do të zgjasë kjo romancë mes dy këngëtarëve, të cilët megjithatë u takojnë botëve të ndryshme. Madje ka filluar të spekulohet se ata së shpejti do ta realizojnë një këngë së bashku, e cila do t’i përkasë zhanrit country. /Telegrafi/

Exit mobile version