Site icon Telegrafi

“Guxo” e Vjosa Osmanit regjistrohet si parti, tregojnë pse këtë e bënë pikërisht më 14 shkurt

Lista “Guxo” është regjistruar sot si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Përfaqësuesja e kësaj partie, Donika Gërvalla, deklaroi se “Guxo”, e nisur nga presidentja Vjosa Osmani, sot i ka hyrë rrugës institucionaliste.

“Kam kënaqësinë e veçantë të ju përshëndes sot nga kjo seli. Iniciativa qytetare Lista ‘Guxo’, e nisur nga presidentja Vjosa Osmani, ajo sot i ka hyrë rrugës institucionaliste. Kjo iniciativë ka sukses të jashtëzakonshëm. Platforma politike e ‘Guxo’, si parti me demokracinë e brendshme të zgjeruar”, deklaroi tutje ajo.

Gërvalla tha se Lista Guxo është parti e qendrës së djathtë, në të cilën mirëpritet kontributi i të gjithëve.

“Guxo është një formacion i ri politik i cili fillet e tij i ka në kokë të trazuara dhe ballafaqime me sfida të mëdha, por me një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e para një viti”, tha ajo.

Ajo e prezantoi në vija të trasha edhe platformën e kësaj partie, duke e nisur nga arsimi. Në anën tjetër, Faton Peci ministri i tanishëm i Bujqësisë, njëherit pjesë e kësaj liste tregoi se përse kanë zgjedhur pikërisht 14 shkurtin si datë për të zyrtarizuar regjistrimin e subjektit të tyre si parti e re politike në vend.

“Ndoshta është e rëndësishme të potencohet se përse ne kemi zgjedh pikërisht datën 14 shkurt që të bëjmë edhe aktin formal të regjistrimit të subjektit tonë politik Është dëshmi dhe interesim i joni për të vazhduar angazhimet tona të mëdha që kemi pasur më 14 shkurt 2021, dhe një demonstrim i asaj që interesimi jonë parësor ka qenë Kosova dhe ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodh”, tha Peci.

Ai shtoi se pashmangshëm që do të futen në një nivel të organizimit të zgjedhjeve të brendshme.

“Ne në draftin e statutit që tashmë kemi deponuar kemi përfshirë parimet dhe format më të avancuara të promovimit të demokracisë. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe njerëzve me integritet kredibilitet që t’i bashkëngjiten në muajt në vijim procesit të organizimit të brendshëm”, tha Peci.

“Guxo” ende nuk i ka caktuar pozitat në parti, e këtë sipas Gërvallës, do ta bëjnë në Kuvendin zgjedhor. /Telegrafi/

Exit mobile version