Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, priti në takim delegacionin nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Bankës Botërore të kryesuar nga Damien Shiels, i cili i njoftoi të pranishmit me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, në veçanti për sektorin bankar, i cili po vazhdon të jetë stabil.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e IFC-së informuan guvernatorin Mehmeti për projektin e saj në përmirësimin dhe reformimin e strukturës ligjore dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën e risktrukturimit dhe likuidimit të bizneseve.
Qëllimi i këtij projekti është të asistojë Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e veta për përmirësimin e regjimit të vet të para-falimentimit dhe paaftësisë së pagesave në vend dhe stimulimin e përdorimit të kornizës së falimentimit.
Ky projekt pritet që të shpie drejt përmirësimit të rikthimit të kredisë dhe kthimit të rritur të kredisë kreditorëve, të mundësojë rehabilitimin e bizneseve të mundshme dhe që të zbutet likuidimi i kompanive joefektive dhe t’i kthejë pasuritë e tyre në përdorim produktiv. Gjithashtu, ky projekt do të rezultojë në mundësimin e qasjes në kredi duke rritur parashikueshmërinë për huadhënësit dhe reduktimin e primeve të rrezikut që ata mund të shqiptojnë, në këtë mënyrë duke bërë kredinë më të qasshme.
Gjithashtu, IFC-ja kërkoi nga BQK-ja përkrahje në këtë projekt, si dhe të ketë rol primar në udhëheqjen e Grupit Punues dhe zhvillimin e strategjisë për kreditë joperformuese.
IFC shprehu gatishmërinë për të asistuar në avancimin e mëtutjeshëm të Regjistrit të Kredive të Kosovës.
Nga ana tjetër, guvernatori Mehmeti, falënderoi IFC-në dhe Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme të sektorit financiar dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe në të ardhmen. /Telegrafi/