Site icon Telegrafi

Guvernatori Ismaili komenton çështjen e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2022 ka shënuar rritje të ngadaltë ekonomike prej 3.5 për qind. Kjo u bë e ditur në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere të mërkurën gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës për 2022.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili tha se ngadalësimi i aktiviteteve kryesisht iu atribuua rritjes së përgjithshme të çmimeve në vend. Ai para anëtarëve të Komisionit foli edhe për borxhin publik dhe për të hyrat buxhetore. Në këtë mbledhje Ismaili komentoi edhe vjedhjen e mbi 2 milionë euro gjatë vitit 2020.

Lexo po ashtu Rasti i 2.1 milionë eurove - si kishte ndodhur vjedhja nga Thesari i Shtetit

“Sa i përket aspektit të ekonomisë së Kosovës, sipas raporti të vitit 2022, ekonomia shënoi një rritje të ngadalësuar ekonomike prej 3.5 për qind. Ngadalësimi i aktivitete kryesisht iu atribuua rritjes së përgjithshme të çmimeve duke ndikuar në rritje enorme të Bruto Produkteve Vendore me vetëm një pikë përqindje. Çmimet në vitin 2022 vazhduan të diktohen kryesisht nga faktorë të jashtëm që përcaktuan trajektoren e inflacionit nga gjysma e dytë e vitit paraprak, që përfshijnë rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, pengesat në zinxhirët e furnizimit të shkaktuara nga pandemia dhe rritjen e hovshme të kërkesës së përgjithshme”.

“Një ndër faktorët kryesore në inflacion ishte çmimi i energjisë dhe ushqimit me fillimin e luftës në Ukrainë, e cila u transmetua përmes kanaleve të ndryshme edhe në Kosovë. Mesatarja vjetore e inflacionit në vitin 2022 rezultoi 11.6 për qind, në raport me 3.4 për qind që ishte në vitin paraprak. Sa i përket të hyrave buxhetore ato shënuan një rritje prej 13.7 për qind, si rezultat kryesisht i masave në formalizimin e ekonomisë dhe inflacionit. Edhe shpenzimet buxhetore shënuan një rritje dyshifrore prej 10.5 për qind të bruto produktit vendor. Borxhi publik arriti vlerën 1.8 miliard euro ose 4.2 për qind më i lartë se sa viti 2021. Borxhi publik ra në 20.7 për qind nga 21.5 për qind sa ishte në vitin 2021”, tha Ismaili.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti pyeti guvernatorin si është përmbyllur çështja e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove në Thesarin e Shtetit.

“Si u përmbyll çështja e vjedhjes në Thesar, në cilën fazë është?”, pyeti Hoti.

Ndërkaq, Ismaili tha se nuk ka informacione të fundit për këtë, por shtoi se “ka ndodhur një kthim i jashtëm”.

“Nuk kam informacione të fundit, por me dijeninë time ka ndodhur një kthim i jashtëm i rëndësishëm, por deri në çfarë mase nuk e di”, tha Ismaili.

Rasti i vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit kishte ndodhur në tetor të vitit 2020, shkruan KP.

Ndërsa, nënkryetar i Komisionit, Mergim Lushtaku pyeti për remitencat, pasi sipas tij ka rritje të ngadalësuar të të ardhura nga diaspora krahasuar me vitet paraprake.

“Te remitencat është një rritje e vogël krahasim me vitet e paraprake, vërehet një ulje. Zakonisht ka pas rritje më të madhe të remitencave, tash ka rritje, por shumë më e ulët në krahasim me vitet paraprake. Cili është indikatori kryesor”, pyeti Lushtaku.

Për këtë, Ismaili tha se mund të ketë ndonjë keqkuptim, porse shtoi se do e shikojnë raportin dhe të dhënat edhe njëherë. Ai tutje u shpreh se aktualisht është rreth 12 për qind rritja nga viti në vit.

“Ndoshta kemi ndonjë keqkuptim…Në aspektin e përqindjes, aktualisht është rreth 12 për qind rritja nga viti në vit, e ka kaluar 10 për qind e Bruto Produktit vendor. Besojmë se pandemia nuk është shumë e mirë referente për këtë qëllim…Ne nuk kemi vërejtur që ka ndonjë ngadalësim, përveç se ka preferenca kohore të ndryshme, por në qoftë se mendoni se ka rritje të ngadalësuar, na duhet pak kohë të shohim në baza vjetore, në numër dhe vlerë a ka ndryshim “, tha guvernatori.

Exit mobile version