Site icon Telegrafi

Guvernatori Hamza, priti në ambasadorin Delawie: Mbështetje amerikane për BQK-në

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, që ishte i shoqëruar nga drejtori i USAID-it, James Hope, dhe drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike e USAID-it, Scott Cameron.

Në këtë takim Hamza ka falënderuar ambasadorin Delawie për mbështetjen e vazhdueshme që BQK-ja ka marrë nga Qeveria e SHBA-së, duke u shprehur i bindur që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Hamza ka theksuar se sektori financiar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm, likuid dhe i kapitalizuar mirë dhe me zhvillime pozitive. Ai ka njohur ambasadorin Delawie me të dhënat e vitit 2015 në sistemin bankar, duke theksuar se edhe në vitin e kaluar bankat kanë pasur një afarizëm pozitiv, me rritje pozitive të kreditimit dhe të depozitave, si dhe me një nivel të ulët të kredive joperformuese.

Kjo ka bërë të mundur që bankat ta shtojnë angazhimin e tyre në kreditimin e sektorit real të ekonomisë, duke ulur në mënyrë të ndjeshme normat e interesit në kredi në krahasim me vitet paraprake.

Më tej, Hamza ka pohuar se këto zhvillime në sektorin financiar kanë pasur një “ndikim shumë të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit”. Sa u përket angazhimeve institucionale, ai ka theksuar se BQK-ja ka arritur t’i përmbush me sukses të plotë dhe para afateve të gjitha kriteret e përcaktuara në Marrëveshjen Stand-by me FMN-në. Në këtë mënyrë, BQK-ja ka dhënë pjesën e saj të kontributit në kuadër të plotësimit të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Nga ana e tij, Delawie ka çmuar angazhimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për rregullimin e Sektorit Financiar , si dhe ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të thellojnë bashkëpunimin dhe do vazhdojnë të mbështesin Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme të cilat ndihmojnë në avancimin e funksioneve të saja. /Telegrafi/

Exit mobile version