Mesfushori i Manchester City, Ilkay Gundogan mund të jetë duke pritur një lëvizje të madhe gjatë verës te gjiganti katalunas, Barcelona.
Klubi nga Camp Nou është i interesuar të përforcohet edhe më shumë këtë verë, pas një sezoni të dështuar.
Sergio Aguero, Eric Garcia dhe Emerson Royal janë emrat e transferuar deri më tani nga Barcelona, por këta nuk pritet të jenë të fundit.
Drejtuesit e klubit blaugrana tashmë kanë etiketuar edhe disa emra tjetër të njohur dhe njëri nga ta është edhe ylli i Cityt, Gundogan.
Gjermani shijoi një sezon fantastik për Cityn, shpesh duke luajtur si një nëntë i rremë dhe duke siguruar shumë gola dhe asistime për skuadrën.
Sipas mediumit The Sun, Gundogan do të presë për të parë nëse Barcelona forcon interesin për të para se ai të vendosë të ardhmen e tij.
30-vjeçari ka edhe dy vjet në kontratën e tij në City, por do të pëlqente një transferim te Barça.
Gundogan është shumë i lumtur në City, por ai është gjithashtu një tifoz i Barcelonës dhe do të dëshironte të luante me një yll si Lionel Messi. /Telegrafi/