Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati si dhe ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, nuk do të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar sot kundër manipulimeve me invalidë të luftës dhe me lista të veteranëve.
Hysni Gucati, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këtë protestë nuk do ta përkrahin.
Ai potencoi se çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të protestojë për pakënaqësitë e tyre.
“Kjo protestë nuk është në emër të organizatës por në emër të disa veteranëve. Ata janë të pakënaqur me pensionet e tyre dhe secili ka të drejtë të protestoj. Ne nuk do t’i përkrahim”, theksoi Gucati.
Ndërsa, ish-kryetari i KMDV të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tregoi se nuk ka asnjë informacion rreth kësaj proteste.
“Nuk kam informacion se kush e ka organizuar këtë protestë. Nuk do të marr pjesë”, u shpreh shkurt për Telegrafin Qeriqi.
Ndryshe, protesta do të mbahet në orën 11:00 në sheshin “Skënderbeu”, nga një grup i veteranëve të UÇK-së. /Telegrafi/