Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK), Hysni Gucati në fjalën e tij gjatë seancës gjyqësore në Hagë, ka thënë se nuk ka qenë i informuar se do të arrestohet, dhe se policia e EULEX-it nuk kishte nevojë të hynte në atë formë në zyrat e OVL e UÇK-së.
Gucati ka thënë se po të ishte informuar në kohë se do të arrestohet, ai do ta dorëzohej, transmeton Telegrafi.
“Nuk jam informuar për arrestimin tim deri në momentin kur është ardhë policia e EULEX-it në zyrën time. Kanë mundur të më njoftojnë mua por edhe dikë të familjes time, nuk kish pas problem. Nuk kanë pasur nevojë të hyjnë në atë formë siç kanë hyrë policia e EULEX-it në zyrat e OVL-UÇK-së. Kanë mundur të më ftojnë mua, unë do të dorëzohesha vetë”, tha ai përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se, Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. /Telegrafi/