Pep Guardiola është gati për sfidën e vështirë teksa kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester City, do të udhëtojë për në ‘Anfield’ aty ku do të përballet me Liverpoolin në një ndeshje shumë të rëndësishme në luftën për titull.
Të besuarit e Guardiolës do të hyjnë në këtë duel si favoriti kryesor për të fituar titullin që do të ishte i katërti radhazi, dhe i gjashti në shtatë vitet e fundit, por që rekordi i tyre i fitoreve në ‘Anfield’ është mjaft i dobët.
Ata morën një fitore bindëse me rezultat 4-1 rreth tri vite më parë, por ajo ndeshje ishte zhvilluar mbrapa dyerve të mbyllura dhe atmosfera do të jetë elektrizuese kësaj radhe.
“Është kualiteti i ekipit të tyre”, ka thënë Guardiola kur u pyet pse ekipi i tij po has në vështirësi për të fituar në ‘Anfield’.
“Tifozët gjithashtu, natyrisht, por veçanërisht kualiteti i ekipit. Mendoj se do të jetë e bukur sepse gjithmonë ka qenë ashtu dhe ne e pranojmë sfidën”.
Formacioni që Guardiola kishte vendosur në fushë ndaj Kopenhagës në Ligën e Kampionëve, sugjeronte se ai po mbante një sy tek ndeshja me Liverpoolin. Sidoqoftë, ai e mohoi këtë duke thënë se fokusi i tyre ishte plotësisht tek Kopenhaga dhe se ata filluan të mendonin për Liverpoolin një ditë më pas.
“Duke e ditur se kishim tri ditë deri të dielën, ne kishim kohë. Unë e shijova kualifikimin në çerekfinale dhe mëngjesin e së enjtes fillova të mendoja për Liverpoolin”.
“Ne pamë disa detaje dhe mënyrën se si ata sulmojnë që është më ndryshe se sa sezonet e kaluara dhe kualiteti i disa lojtarëve dhe lojtarëve të rinj e bëjnë ndeshjen më ndryshe”, përfundoi tekniku spanjoll./Telegrafi/