Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka përjashtuar mundësinë e transferimit të yllit të Borussia Dortmundit, Jadon Sancho, si një zëvendësim për Leroy Sane, i cili pritet të zyrtarizohet si lojtar i ri i Bayern Munichut.
Sancho, i cili vlerësohet si një nga talentet e ri më të ndritur në futbollin evropian, është lidhur me një rikthim në vendlindjen e tij, Angli, këtë verë.
Por, përkundër humbjes së Sane te Bayern Munich, Guardiola ka thënë se klubi i tij nuk do ta provojë rikthimin e Sanchos në Etihad.
“Ai vendosi të largohej, pse të kthehet?”, ka thënë fillimisht Guardiola përpara përplasjes së sotme me kampionët e rinj të Liverpoolit.
“Kur ai vendosi të transferohet në Dortmund nuk është se ai do të kthehet. Nuk do të kishte kuptim. Nëse ai dëshironte të largohej, unë do të thosha se nuk dëshiron të kthehet”.
“Është pjesë e procesit, ne do të dëshironim të qëndrojmë me lojtarët e 10 viteve të fundit për të qenë të përjetshëm, por rritemi në vite dhe duhet t’i zëvendësojmë ata me lojtarë të rinj”, përfundoi trajneri.
Lajmi do të mirëpritet nga Manchester Unitedi, të cilët janë shumë të interesuar për nënshkrimin e yllit anglez. /Telegrafi/