Site icon Telegrafi

Guardiola: Nëse doni të fitoni Ligën e Kampionëve, duhet ta quani veten Real Madrid

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola do të luajë gjysmëfinalen e tij të dhjetë të Ligës së Kampionëve si trajner pas kualifikimit për në gjysmëfinale pasi eliminoi Bayern Munichun.

Manchester City arriti ta eliminojë një rival të fortë si Bayern Munichu në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 4-1, pas barazimit 1-1 në Allianz Arena të mërkurën mbrëma.

Kështu, City do të ndeshet me Real Madridin në gjysmëfinale, skuadrën që e ndau nga finalja e madhe në edicionin e kaluar.

Lexo po ashtu Man City merr barazim si mysafir i Bayern Munich, kalon tutje në gjysmëfinale

Për këtë, trajneri i “Qytetarëve” është shumë i vetëdijshëm dhe ka vlerësuar lartë rivalin e tij në gjysmëfinale.

“Të gjitha skuadrat kanë ndjenjën se nëse doni të fitoni Ligën e Kampionëve, duhet ta quani veten Real Madrid. Më parë ishte Barça dhe tani është Madridi”, ka thënë fillimisht Guardiola pas ndeshjes.

“Real Madridi ka qenë në njëmbëdhjetë gjysmëfinale në 13 vjet. Ne kemi qenë në tre dhe jemi si ‘Wow’”.

“Detyrimi për të fituar trofeun? E rëndësishme është të provosh, jo të fitosh. Nëse provon, ndoshta një ditë do të kesh fat”, përfundoi trajneri i Cityt. /Telegrafi/

Exit mobile version